Miqësia e Jezusit është një temë që shkakton një përgjigje të ngrohtë në zemrat e njerëzve të Tij kudo. Kur Ai ishte këtu në tokë, Ai u përqesh si «miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve» (Mt. 11:19), por të krishterët e kanë hequr përqeshjen dhe e kanë kthyer atë në një titull nderi.

Para se të shkonte në kryq, Zoti ynë i quajti dishepujt e Tij «miq». «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im» (Gjoni 15:14, 15).

Disa prej himneve më të dashura e përcjellin këtë temë; për shembull, «Ç’mik na është Jezus Krishti»; «Nuk ka asnjë mik si Jezusi i përulur»; dhe «Kam gjetur një mik, oh, çfarë miku».

Përse shkakton miqësia e Jezusit një përgjigje me një akord të tillë? Mendoj se arsyeja kryesore është që shumë njerëz janë të vetmuar. Ata mund të rrethohen nga njerëz të tjerë, por nuk rrethohen nga miq. Ky është shpesh rasti me njerëzit e moshuar të cilët i kanë lënë pas bashkëkohësit e tyre.

Vetmia është e egër. Ajo është e keqe për shëndetin fizik, mendor dhe emocional të personit. Ajo ia ha shpirtin për sa i përket gjendjes morale, ia acaron nervat dhe ia mërzit jetën. Shpesh vetmia i çon njerëzit në dëshpërim dhe kështu ata janë gati të komprometojnë me mëkatin ose të marrin vendime të çmendura. Për njerëz të tillë miqësia e Jezusit vjen me cilësitë shëruese të balsamit nga Galaadi.

Një arsye tjetër përse miqësia e Tij është kaq e vlerësuar është se ajo nuk dështon kurrë. Miqtë njerëzorë shpesh na lënë në baltë ose largohen nga jeta jonë, por ky Mik del i vërtetë dhe i palëkundur.

Miqtë tokësorë mund të na lënë në baltë e të largohen,
një ditë na qetësojnë, e tjetrën na trishtojnë;
por ky Mik kurrë nuk do të na mashtrojë. Oh, sa na do!

Jezusi është ai Mik që është më i lidhur se një vëlla. Ai është Miku që do në çdo kohë (Fja. 17:17).

Fakti që Zoti Jezus nuk është i pranishëm trupërisht me ne nuk vendos ndonjë limit mbi realitetin e miqësisë së Jezusit. Ai na flet përmes Fjalës, dhe ne i flasim Atij me anë të lutjes. Është pikërisht në këtë mënyrë që Ai e bën Veten real në ne si Miku për të cilin kemi nevojë. Është në këtë mënyrë që Ai i përgjigjet kësaj lutjeje:

Zoti Jezus, bëje Veten një realitet të gjallë dhe të shndritshëm në mua;
më të pranishëm për shikimin depërtues të besimit se ç’mund të shihet ndonjë
objekt tokësor;
më të dashur, më të ngushtë e afër se madje lidhja më e ngushtë tokësore.

Nga William MacDonald


Mateu 6:1 - Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t`ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

Mateu 6:1-4

Motivi pas dhuratës është më i rëndësishëm se vetë dhurata. Pali tha se nëse e jepte gjithë pasurinë e tij për të ushqyer të varfrit, apo nëse nëse bënte edhe sakrificën më të madhe që të jepte edhe jetën e tij për dikë tjetër, por kjo nuk motivohej nga dashuria, dhurata e tij nuk do t'i vlente aspak (1 Korintasve 13:3).

Shumë të krishterë japin besnikërisht, por kurrë nuk e shohin rikthimin njëqind fish të dhënies, për shkak të motiveve të gabuara (Marku 10:29-30). Pali tha që Perëndia do një dhënës të gëzuar, jo dikë që jep kundër dëshirës i detyruar nga shtrëngimi (2 Korintasve 9:7).

Jezusi na dha çelësin për të pastruar motivet tona, brenda të njëjtit mësim. Ai tha "Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç`bën e djathta" (Mateu 6:3). Të japësh në një mënyrë ku ti nuk vlerësohesh për dhuratën tënde, do të garantojë që motivet e tua janë të drejta dhe do të japin ty gëzimin e vërtetë që vjen nga dhënia jo-egoiste (Veprat 20:24).

Kërkoji Zotit të të tregojë sot një mundësi për të dhënë një fjalë të mirë apo ndihmë dikujt i cili nuk është në gjendje të të shpërblejë, dhe të tjerët të mos e dinë. Ky mund të jetë dikush me motorr i bllokuar në trafik, një koleg, bashkëshorti/ja, një fëmijë që as do ta dallojë veprën tënde të mirë, apo kushdo tjetër. Ne jemi të rrethuar me plot mundësi të tilla.

Per fjalen tende

Posted by admin | 3:31 PM | | 0 comments »

Luka 5:5 - Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ``Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

Luka 5:1-11

Pjetri dhe njerëzit e tij kishin punuar rëndë gjithë natën. E gjithë përpjekja e tyre nuk kishte zënë as edhe një peshk. Ata u dorëzuan dhe ishin nisur për në shtëpi. Por Jezusi u tha ta provonin edhe një herë të vetme.

Do të kishte qenë e lehtë për Pjetrin ta kishte mohuar kërkesën e Jezusit. Mbi të gjitha, Pjetri kishte qenë peshkatar gjithë jetën e tij. Jezusi ishte thjesht një predikues. Çfarë dinte Ai mbi peshkimin? Megjithatë diçka, ose më mirë dikush, e shtyu Pjetrin ta provonte edhe një herë.
Shumë njerëz janë tamam si Simon Pjetri dhe ortakët e tij. Ata kanë bërë gjithçka që dinë të bëjnë dhe prapë se prapë kanë dalë duarbosh. Kjo sjell një dëshpërim dhe mungesë shprese që shkakton që shumë njerëz të heqin dorë së provuari. Por, vetëm një fjalë nga Jezusi, mund të bënte që i njëjti aktivitet që deri tani ishte i pafrutshëm, tani të kishte plot frut.

Çelësi i suksesit apo dështimit qëndron në zbatimin e fjalës së Jezusit. Pjetri tha: "për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën". Fjalët e Zotit gjithmonë sjellin rezultate.

Sot, sigurohu që përpjekjet e tua janë drejtuar nga Perëndia dhe do të përjetosh rezultate që kurrë s'i ke ëndërruar në të kaluarën.