Miqësia e Jezusit është një temë që shkakton një përgjigje të ngrohtë në zemrat e njerëzve të Tij kudo. Kur Ai ishte këtu në tokë, Ai u përqesh si «miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve» (Mt. 11:19), por të krishterët e kanë hequr përqeshjen dhe e kanë kthyer atë në një titull nderi.

Para se të shkonte në kryq, Zoti ynë i quajti dishepujt e Tij «miq». «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im» (Gjoni 15:14, 15).

Disa prej himneve më të dashura e përcjellin këtë temë; për shembull, «Ç’mik na është Jezus Krishti»; «Nuk ka asnjë mik si Jezusi i përulur»; dhe «Kam gjetur një mik, oh, çfarë miku».

Përse shkakton miqësia e Jezusit një përgjigje me një akord të tillë? Mendoj se arsyeja kryesore është që shumë njerëz janë të vetmuar. Ata mund të rrethohen nga njerëz të tjerë, por nuk rrethohen nga miq. Ky është shpesh rasti me njerëzit e moshuar të cilët i kanë lënë pas bashkëkohësit e tyre.

Vetmia është e egër. Ajo është e keqe për shëndetin fizik, mendor dhe emocional të personit. Ajo ia ha shpirtin për sa i përket gjendjes morale, ia acaron nervat dhe ia mërzit jetën. Shpesh vetmia i çon njerëzit në dëshpërim dhe kështu ata janë gati të komprometojnë me mëkatin ose të marrin vendime të çmendura. Për njerëz të tillë miqësia e Jezusit vjen me cilësitë shëruese të balsamit nga Galaadi.

Një arsye tjetër përse miqësia e Tij është kaq e vlerësuar është se ajo nuk dështon kurrë. Miqtë njerëzorë shpesh na lënë në baltë ose largohen nga jeta jonë, por ky Mik del i vërtetë dhe i palëkundur.

Miqtë tokësorë mund të na lënë në baltë e të largohen,
një ditë na qetësojnë, e tjetrën na trishtojnë;
por ky Mik kurrë nuk do të na mashtrojë. Oh, sa na do!

Jezusi është ai Mik që është më i lidhur se një vëlla. Ai është Miku që do në çdo kohë (Fja. 17:17).

Fakti që Zoti Jezus nuk është i pranishëm trupërisht me ne nuk vendos ndonjë limit mbi realitetin e miqësisë së Jezusit. Ai na flet përmes Fjalës, dhe ne i flasim Atij me anë të lutjes. Është pikërisht në këtë mënyrë që Ai e bën Veten real në ne si Miku për të cilin kemi nevojë. Është në këtë mënyrë që Ai i përgjigjet kësaj lutjeje:

Zoti Jezus, bëje Veten një realitet të gjallë dhe të shndritshëm në mua;
më të pranishëm për shikimin depërtues të besimit se ç’mund të shihet ndonjë
objekt tokësor;
më të dashur, më të ngushtë e afër se madje lidhja më e ngushtë tokësore.

Nga William MacDonald


Mateu 6:1 - Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t`ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

Mateu 6:1-4

Motivi pas dhuratës është më i rëndësishëm se vetë dhurata. Pali tha se nëse e jepte gjithë pasurinë e tij për të ushqyer të varfrit, apo nëse nëse bënte edhe sakrificën më të madhe që të jepte edhe jetën e tij për dikë tjetër, por kjo nuk motivohej nga dashuria, dhurata e tij nuk do t'i vlente aspak (1 Korintasve 13:3).

Shumë të krishterë japin besnikërisht, por kurrë nuk e shohin rikthimin njëqind fish të dhënies, për shkak të motiveve të gabuara (Marku 10:29-30). Pali tha që Perëndia do një dhënës të gëzuar, jo dikë që jep kundër dëshirës i detyruar nga shtrëngimi (2 Korintasve 9:7).

Jezusi na dha çelësin për të pastruar motivet tona, brenda të njëjtit mësim. Ai tha "Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç`bën e djathta" (Mateu 6:3). Të japësh në një mënyrë ku ti nuk vlerësohesh për dhuratën tënde, do të garantojë që motivet e tua janë të drejta dhe do të japin ty gëzimin e vërtetë që vjen nga dhënia jo-egoiste (Veprat 20:24).

Kërkoji Zotit të të tregojë sot një mundësi për të dhënë një fjalë të mirë apo ndihmë dikujt i cili nuk është në gjendje të të shpërblejë, dhe të tjerët të mos e dinë. Ky mund të jetë dikush me motorr i bllokuar në trafik, një koleg, bashkëshorti/ja, një fëmijë që as do ta dallojë veprën tënde të mirë, apo kushdo tjetër. Ne jemi të rrethuar me plot mundësi të tilla.

Per fjalen tende

Posted by admin | 3:31 PM | | 0 comments »

Luka 5:5 - Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ``Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

Luka 5:1-11

Pjetri dhe njerëzit e tij kishin punuar rëndë gjithë natën. E gjithë përpjekja e tyre nuk kishte zënë as edhe një peshk. Ata u dorëzuan dhe ishin nisur për në shtëpi. Por Jezusi u tha ta provonin edhe një herë të vetme.

Do të kishte qenë e lehtë për Pjetrin ta kishte mohuar kërkesën e Jezusit. Mbi të gjitha, Pjetri kishte qenë peshkatar gjithë jetën e tij. Jezusi ishte thjesht një predikues. Çfarë dinte Ai mbi peshkimin? Megjithatë diçka, ose më mirë dikush, e shtyu Pjetrin ta provonte edhe një herë.
Shumë njerëz janë tamam si Simon Pjetri dhe ortakët e tij. Ata kanë bërë gjithçka që dinë të bëjnë dhe prapë se prapë kanë dalë duarbosh. Kjo sjell një dëshpërim dhe mungesë shprese që shkakton që shumë njerëz të heqin dorë së provuari. Por, vetëm një fjalë nga Jezusi, mund të bënte që i njëjti aktivitet që deri tani ishte i pafrutshëm, tani të kishte plot frut.

Çelësi i suksesit apo dështimit qëndron në zbatimin e fjalës së Jezusit. Pjetri tha: "për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën". Fjalët e Zotit gjithmonë sjellin rezultate.

Sot, sigurohu që përpjekjet e tua janë drejtuar nga Perëndia dhe do të përjetosh rezultate që kurrë s'i ke ëndërruar në të kaluarën.

Të tërhequr nga fuqia

Posted by admin | 12:24 PM | | 0 comments »

Marku 1:37 - Dhe, kur e gjetën, i thanë: ``Të gjithë po të kerkojnë!``.

Marku 1:35-39; Luka 4:42-44

Kjo është një thënie mahnitëse. Shërbesa e Jezusit kishte vetëm pak muaj që kishte filluar dhe turmat e njerëzve tashmë po e kërkonin.

Kjo është edhe më shokuese kur e kupton që Jezusi nuk përdori ndonjë nga mënyrat e famshme të reklamimit. Në fakt Jezusi tashmë e kishte mohuar publicitetin gjatë vitit të Tij të parë në Jeruzalem (Gjoni 2:24-25). Nuk kishte asnjë shpjegim të natyrshëm për suksesin e Jezusit.
Perëndia ishte ai që e lartësoi Jezusin. Dhe Ai përdori mënyra të mbinatyrshme për këtë. Nuk ishin teknikat e lëmuara të Madison Avenue që tërhoqën turmat, por ishte manifestimi i fuqisë së Perëndisë.

Vetëm një ditë më parë, Jezusi kishte dëbuar një demon jashtë një njeriu, në një sinagogë në Kapernaum (Marku 1:21-28). Kjo shkaktoi që gjithë qyteti të mblidhej te shtëpia e Pjetrit dhe Jezusi shëroi gjithsecilin prej tyre (Luka 4:40).

Ekspozimi i fuqisë mrekulli-bërëse të Perëndisë në jetën e Jezusit, ishte shkëndija që Fryma e Shenjtë përdori për të ndezur zjarrin në zemrat e atyre njerëzve. Jezusi e kishte këtë fuqi për shkak të marrëdhënies së Tij intime me Atin. Nuk është rastësi që Ai ishte duke u lutur kur njerëzit po e kërkonin.

Ndërsa kërkon të prekësh të tjerët me jetën e re që ke gjetur në Krishtin, lejoje Perëndinë ta vërtetojë Fjalën e Tij me manifestime mrekulli-bërëse të fuqisë së Tij përmes teje.

Demonët në kishë

Posted by admin | 9:58 AM | | 0 comments »

Marku 1:23 - Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë ...

Marku 1:21-28; Luka 4:33-37

Shumë njerëz as që arrijnë t'i mendojnë dot së bashku njerëzit e pushtuar nga demonët dhe vendin e adhurimit të Perëndisë. E megjithatë, shumica e demonëve të cilët Jezusi i dëboi, ishin në një ambient kishe (sinagoge). Pse ka njerëz të demonizuar në kishë?

Në disa raste, njerëzit shkonin aty për të kërkuar ndihmë. Kisha, si spital, u ofron njerëzve kurën, prandaj të sëmurët vijnë aty.

Në raste të tjera, djalli i nxit këta të demonizuar që të shpërndajnë "sëmundje" frymërore në kishë. Një kishë, e cila mëson Fjalën e vërtetë të Perëndisë, ose duhet t'i ungjillizojë këta individë, ose t'i bindë ata aq fort saqë ata të largohen (nëse s'duan të çlirohen). Eshtë për të ardhur keq që të demonizuarit janë duke lulëzuar në ambientet e sotme fetare.

Ne gjithmonë duhet t'i tregojmë dashuri mëkatarit, ashtu si Jezusi veproi, por nuk duhet t'i lëshojmë pe djallit. Nëse një person do që ta mbajë frymën e ligë brenda vetes, atëherë ata nuk duhet të ndjehen në kishë si në shtëpinë e tyre.

Lejo Frymën e Perëndisë të jetojë përmes teje, po ashtu si jetoi përmes Jezusit, dhe ti do të shohësh që njerëzit ose do të zemërohen me ty ose do të gëzohen. Por nuk do të rrethohesh nga indiferenca.

Luka 4:19 - për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.

Luka 4:16-30

Ky shkrim ishte shkruar në mënyrë profetike nga profeti Isaija rreth 650 vjet para këtij momenti. Lexohej në sinagogat e judenjve me mijëra herë. Por personi për të cilin po fliste ky varg, akoma nuk e kishte cituar këtë varg me buzët e veta. Me këtë deklarim, Jezusi filloi vitin e Jubileut.

Viti i Jubileut përshkruhet te Levitiku 25. Ishte një vit kur çdokush i linte arat e papunuara dhe e mbanin si sabat (të shtunë) për Zotin. Zoti u jepte njerëzve një furnizim të mbinatyrshëm vitin para jubileut, që zgjaste për 3 vjet derisa të korrat të bëheshin përsëri për t'u korrur.

Jubileu (nje here në 50 vjet) ishte ndryshe nga vitet e tjera e sabatit (që ishin një herë në 7 vjet), sepse çdo borxh falej. Gjithë pronat i ktheheshin pronarit origjinal dhe çdokush që ishte shitur si skllav, lihej i lirë. Ishte viti i fillimeve të reja.

Jezusi shpalli një Jubile frymëror. Ne tani jetojmë në një kohë ku gjithë borxhet tona ndaj Perëndisë janë falur dhe të gjitha gjërat që djalli na vodhi, na janë rikthyer. Edhe skllavëria jonë nën djallin ka marrë fund, përmes veprës shpenguese të Zotit tonë Jezus Krisht. Kjo është një kohë për t'u gëzuar.

Jezusi është Jubileu ynë.

Adhuroje Zotin në Frymë

Posted by admin | 9:10 AM | 0 comments »

Gjoni 4:24 - Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t`a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën``.

Gjoni 4:4-26

Njeriu funksionon kryesisht në fushën fizike dhe emocionale, por Perëndia është Frymë (1 Samuelit 16:7). Që të kesh miqësi të vërtetë me Perëndinë, ne duhet t'i afrohemi dhe të komunikojmë me Perëndinë në nivelin frymëror.

Në mënyrë që kjo të jetë e mundur, Perëndia e ndryshoi frymën tonë. Në shpëtim, fryma jonë u bë plotësisht e re (2 Korintasve 5:17). Fryma jonë e rilindur tani është e drejtë dhe shenjtë (Efesianëve 4:24). Eshtë njëlloj siç është Jezusi, sepse fryma jonë e rilindur është e krijuar nga Zoti Jezus Krisht (1 Gjonit 4:17; 1 Korintasve 6:17; Romakëve 8:9; Galatasve 4:6).

Tani, në frymën tonë, ne jemi të denjë të vijmë para Zotit dhe ta adhurojmë Atë pa frike. Në gjendjen e tanishme, fryma jonë është e vetmja pjesë e jona që është e denjë. Prandaj ne duhet ta adhurojmë Atë në frymë dhe në të vërtetë.

Kur ne vijmë para Perëndisë me gjithë dështimet dhe problemet tona, ne nuk po i afrohemi Atij përmes frymës tonë. Fryma jonë nuk ka probleme. Fryma jonë e rilindur është e përkryer.

Sigurisht që ka një vend dhe kohë për të përmendur problemet dhe dështimet tona, por kjo nuk ka të bëjë me "pjesën" tonë të shpëtuar që tashmë ka miqësi me Perëndinë. Ne gjithmonë duhet ta bazojmë marrëdhënien tonë me Atin në atë se cilët ne jemi në frymën tonë përmes Krishtit Jezus.

Gjoni 4:19 - Gruaja i tha: ``Zot, po shoh se ti je një profet.

Gjoni 4:4-26

Kjo nuk kërkoi ndonjë dallim të madh nga ana e gruas. Jezusi sapo "ia kishte lexuar e-mailin". Ai i tregoi asaj detajet më intime të jetës së saj.

Gjithkush mund të kishte kuptuar që Jezusi ishte profet pas një gjëje të tillë.

Kjo grua menjëherë e kuptoi që ajo ishte përballë dikujt që ishte më shumë se thjesht një njeri. Perëndia po i fliste asaj. Cili ishte reagimi i saj? Ajo ndryshoi temën. Ajo solli në diskutim një çështje doktrinale në lidhje me vendin e duhur për të adhuruar. Ajo po bënte gjithçka për ta hequr vëmendjen e Jezusit nga personi i saj.

Ne, të gjithë, kemi tendencën të ndërtojmë mure privatësie rreth detajeve intime të jetës tonë. Ne kemi frikë të lejojmë ndokë, veçanërisht Perëndinë, që të shohë brenda. Por Perëndia tashmë i di dhe Ai do gjithë zemrën tonë.

Jezusi e solli këtë grua përsëri te çështja e marrëdhënies së saj personale me Perëndinë. Vendi i adhurimit apo mënyrat e adhurimit nuk ishin të rëndësishme. Perëndia po shihte për njerëz që do të hapnin zemrat e tyre, madje dhe pjesët e fshehura të zemrës, që Ai të banonte aty.

Në të njëjtën mënyrë edhe sot, Satani përpiqet të na mbajë të zënë me gjithçka tjetër, përveç të vetmes gjë që ka rëndësi. Perëndia do që ta adhurojmë Atë në frymë dhe në të vërtetën. Çdo gjë më e vogël dhe më pak se kjo nuk mjafton.

I etur?

Posted by admin | 10:39 AM | | 0 comments »

Gjoni 4:14 - Por kush pi nga uji që do t`i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t`i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme``.

Gjoni 4:4-26

Jezusi pikturoi një pamje të bukur të shpëtimit në këtë pasazh. Shpëtimi që sjell Jezusi është si një burim uji që nuk ka nevojë për pompim, çikrik me kovë apo përpjekje njerëzore. Ai buron vazhdimisht.

Fatkeqësisht, jo çdo përjetim i krishterë mund të krahasohet me këtë përshkrim të Jezusit. Shumë njerëz mund të krahasohen më mirë me një çesmë të vjetër (pompë ose trompë) me pombim që ka nevojë të pompohet e të pompohet vazhdimisht. Sapo rrjedh pak ujë, ai pushon. Ata e humbasin rrjedhshmërinë. Uji ndalon. Dhe ata duhet t'ia fillojnë përsëri nga fillimi.

E megjithatë, Jezusi tha që ne nuk do të kemi më etje kurrë. Kjo nuk do të thotë që një e pirë do të na ngopë përgjithmonë. Por, ndërsa pimë nga ky ujë përditë, do të jemi vazhdimisht të rifreskuar. Pusi i jetës së Tij është këtu me ne, por ne duhet të pimë nga uji i Tij.

Thatësia në jetën e një të krishteri vjen kur në zëvendësojmë me gjëra të tjera, ujin e gjallë që vetëm Jezusi mund ta japë. Çdo herë që i krishteri fillon të ndjejë etje, kjo nuk është shenjë e ujit të gjallë që jep Jezusi, por një sinjal që ne kemi qenë duke pirë nga burime të tjera.

"Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit" (Isaija 12:3).

Gjoni 4:10 - Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë``.

Gjoni 4:10

Jezusi i kërkoi kësaj gruaje që t'i jepte ujë për të pirë, por Ai nuk ishte i interesuar për të pirë. Ai donte t'i jepte kësaj gruaje jetë të përjetshme.

Perëndia është dhënësi më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë. Ai jeton për të dhënë. Kur Ai kërkon diçka prej nesh, ne mund të jemi të sigurt që Ai po e bën vetëm që ta shumojë dhe të na e kthejë përsëri.

Perëndia nuk është i interesuar në ujin që mund t'i japin ne. Ne nuk mund t'i ofrojmë Perëndisë ndonjë gjë që Ai tashmë nuk e ka. Perëndia na do ne. Dhe duke na kërkuar që t'i japim nga koha, paratë dhe dëshirat tona, Ai po kërkon që ne të japim nga vetja jonë.

Shumë njerëz janë larguar të trishtuar nga Perëndia, ashtu si edhe i riu pasanik, sepse gjithçka që ata mendonin ishte ajo nga çfarë do të hiqnin dorë (Marku 10:22). Të gjitha arritjet dhe zotërimet tona nuk janë asgjë krahasuar me atë që Perëndia na ofron në shkëmbim.

Ashtu si Jezusi e drejtoi vëmendjen e kësaj gruaje drejt asaj që Ai mund ti ofronte asaj, ne kemi nevojë ta përqendrojmë vëmendjen tonë në atë që Zoti na ka dhënë në Krishtin.

Nuk është budalla ai që jep gjërat e përkohshme (që janë duke u prishur), për të marrë të përjetshmen, që nuk mund ta humbasë.

Ai e la Judenë

Posted by admin | 10:50 PM | | 0 comments »

Gjoni 4:1,3 - Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni ... e la Judenë ...

Mateu 4:12; Marku 1:14; Gjoni 4:1-3

Ky është një pasazh interesant i Shkrimit. Në sipërfaqe duket sikur Jezusi po vraponte larg një luftimi. Tani që Gjon Pagëzori kishte dalë jashtë skenës (ishte burgosur), ishte e pashmangshme që farisenjtë do ta sulmonin Jezusin.

Për një gjë mund të jemi të sigurt, që Zoti ynë nuk kishte frikë. Në raste të tjera Ai demonstroi që askush nuk mund t'i bënte dot keq nëse Ai nuk e lejonte (Luka 4:29-30; Gjoni 7:30, 44-46; 8:20, 59; 10:39).

Prandaj mund të themi që Jezusi u largua sepse ishte vullneti i Perëndisë që të largohej. Në një rast tjetër, kur gjysmë-vëllezërit e sfiduan që të shkonte në Jeruzalem dhe të sfidonte farisenjtë, Ai u tha që s'kishte ardhur akoma koha që Ai të shkonte (Gjoni 7:1-6). Po të kishte qenë një njeri i "vogël në shpirt" do të ishte ndjerë i kërcënuar dhe do të përpiqej të provonte superioritetin e tij.

Nëse do të shohësh gjithë njerëzit që ecën mbi tokë, Jezusi ishte njeriu pa egoizëm. Ai nuk erdhi në tokë për Veten, por për ne. Nëse Ai do ta kishte mbrojtur Veten, ne nuk do të ishim shpëtuar. Përulja e Jezusit është interpretuar nga disa si dobësi, por në të vërtetë ishte dashuri. Jo dashuri për veten, por dashuri për një botë të vdekur, për të cilën Ai ishte e vetmja shpresë.

Vite më parë i dërgova një e-postë ateistit më të habitshëm. Jo, nuk ishte Riçard Daukinsi. Me lejoni t'ju jap një ide të identitetit të tij. Ai ishte një predikues i emëruar për 19 vjet dhe madje gjatë kësaj kohe ai shkroi këngë për Jezusin, nga të cilat ai vazhdon të përfitojë edhe sot.

E mërzita atë deri atje që tha se nëse do të kontaktoja përsëri me të, ai tha që do të përpiqej ta mbyllte llogarinë time të postës elektronike. Ishte me të vërtetë i çmendur.

Nuk mund t'jua tregoj emrin e tij, sepse është maniak pas gjyqeve, por mund t'ju tregoj atë që i thashë. Gjithçka që i shkrova ishte: «Juda zgjati për tre vjet e gjysmë. Ju arritët të mashtroni për 19 vjet! E habitshme».

Shumë ateistë deklarues ankohen për Kishën duke thënë që ajo është plot me hipokritë. Ka miliona hipokritë që ulen pikërisht në mes të popullit të Perëndisë. Ata janë pretendues, jetët e të cilëve nuk përputhen me atë që deklarojnë. Disa qëndrojnë brenda Kishës, ndërsa të tjerë u drejtohen gjërave të tjera (disa përqafojnë ateizmin).

Por kjo është hallka munguese me konvertimet e rremë (me hipokritët). Ata nuk e njohin Zotin, sepse nuk e njohin pendimin e vërtetë. Ata kapen pas mëkateve të tyre dhe mendojnë se janë të krishterë, kur nuk janë. Ata janë fals.

Jezusi i quajti ata që qëndrojnë «cjap» midis deleve dhe tha se ata do të klasifikohen në Ditën e Gjykimit (shih Mateu 7:21-27).

Miku im, që i pëlqen avokatët, luajti hipokritin për 19 vjet, e pabesueshme. Pa dyshim, në atë kohë ai mendoi se e njihte Zotin, ashtu si Juda. Por z. Iskariot nuk e kishte idenë se kush ishte Jezusi nga Nazareti, e vërtetuar kjo nga fakti që ai e pa Jezusin thjesht si një mënyrë për të fituar para. Nuk është për t'u çuditur që edhe sot ai vazhdon të paguhet për atë që bëri.

Disa do të thonë që lehja e këtij ateisti është më e keqe se kafshimi i tij. Unë nuk mendoj kështu. Ai është më tepër se dikush qe leh. Ai është një njeri i zemëruar dhe i hidhur që e urren Perëndinë të cilin dikur rrëfeu se e donte. E habitshme dhe njëkohësisht tragjike. Është e qartë se ky njeri i gjorë nuk e kuptoi kurrë kryqin.

Gjoni 3:16 - Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

Gjoni 3:1-21

Shumica e njerëzve përqendrohen te pjesa e vargut që premton që ne nuk do të humbasim. Megjithëse ky është me siguri një premtim i mrekullueshëm, nuk është fokusi i vargut. Qëllimi kryesor i ardhjes së Jezusit në botë, nuk ishte falja e mëkateve, por që të na japë jetë të përjetshme.

Mëkati na ndau neve nga Perëndia dhe Jezusi e eleminoi mëkatin tonë. Megjithatë, pagesa e Tij për mëkatin ishte vetëm një hap drejt qëllimit të Tij përfundimtar, për ta paqtuar njeriun me Perëndinë. Nëse dikush beson që Jezusi vdiq për mëkëtet e tij, por nuk hyn në miqësinë e ngushtë me Perëndinë, që Jezusi siguroi, atëherë ai po e humbet jetën e përjetshme.

Jeta e përjetshme nuk është një gjatësi jete, por një cilësi jete. Jeta e përjetshme është intimet me Atin dhe Jezusin (Gjoni 17:3). Shumë njerëzve u është bërë një padrejtësi (dhe jo shërbim) duke iu thënë që Jezusi erdhi që mëkatet e tyre të falen. Nëse kjo do të kishte qenë gjithçka që Ai bëri, do të kishte qenë e mrekullueshme dhe më shumë se ne meritojmë, por faktikisht, falja e mëkateve është shumë më pak sesa Jezusi bëri për ne.

Sot, përfito në maksimum dhe shfrytëzoje plotësisht shpëtimin tënd, duke shkuar përtej faljes së mëkateve, në intimitet me Perëndinë e plotfuqishëm!

Gjoni 3:10 - Jezusi u përgjigj dhe i tha: ``Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?

Gjoni 3:1-21

Fjala greke e përdorur këtu si mësues do të thotë "instruktor, doktor, udhëzues, mjeshtër". Nikodemi ishte nje njeri i edukuar mirë në çështjet fetare, e megjithatë ai as që ia kishte idenë se ç'po fliste Jezusi.

Marrëdhënia e Nikodemit me Perëndinë kishte qenë thjesht akademike. Ai dinte shumë për Perëndisë, por ai nuk e njihte Perëndinë personalisht. Jezusi kishte një miqësi dhe bashkësi kaq unike me Perëndinë, saqë e intrigonte Nikodemin. Perëndia ishte babai i Jezusit. Kjo ishte diçka krejt e panjohur për Nikodemin.

Jezusi nuk ishte edukuar nga njerëzit, e megjithatë Ai e njihte Perëndinë në një mënyrë që teologët dhe të diplomuarit e seminareve të kohës së Tij nuk e njihnin. Jezusi e shokoi Nikodemin kur i tha që e vetmja mënyrë për ta njohur në të vërtetë Perëndinë ishte duke përjetuar një lindje të dytë.

Gjëja kryesore që e ndan krishtërimin veçmas nga feja, është ky përjetim i lindjes për herë të dytë. Ne nuk kemi thjesht një doktrinë te ndryshme nga të tjerët.

Ne kemi lindur nga lart. Ne kemi Vetë Jezusin që jeton në zemrat tona. Krishtërimi është një marrëdhënie, jo një fe. Ne kemi miqësi me Perëndinë si me babain tonë. Njeriu që ka rilindur nuk është kurrë i humbur kur konfrontohet nga dikush me një argument.

Psalmisti po kalonte një periudhë të vështirë. Ai pa që i ligu begatohej në botë, ndërsa jeta e tij ishte një ankth i mundimshëm dhe i përvuajtur. Ai filloi të kishte dyshime rreth drejtësisë së Perëndisë, dashurisë së Perëndisë dhe urtësisë së Perëndisë. Dukej sikur Zoti e shpërblente ligësinë dhe ndëshkonte drejtësinë.

Por Asafi mori një vendim fisnik. Ai vendosi që të mos i ekspozonte dyshimet e tij që të mos pengonte ndonjë nga fëmijët e Perëndisë.

Ndoshta shumica prej nesh kanë dyshime dhe pyetje ndonjëherë. Veçanërisht kur kemi arritur në fund të durimit, kur gjithçka duket është gati për t'u shembur në ne, është e lehtë që të dyshojmë providencën e (kujdesin largpamës të) Perëndisë. Çfarë duhet të bëjmë?

Si një rregull i përgjithshëm, ne «nuk duhet të dyshojmë në errësirë atë që na është zbuluar në dritë». Ne nuk duhet ta interpretojmë Fjalën e Perëndisë nga rrethanat, pavarësisht se sa të vetmuara të duken ato. Madje ne duhet t'i interpretojmë rrethanat tona me Shkrimin dhe të kuptojmë që asgjë nuk mund të pengojë qëllimet e Perëndisë apo të anulojë premtimet e Tij.

Por mbi të gjitha, ne nuk duhet të shkojmë andej-këtej duke ekspozuar dyshimet tona. Ekziston rreziku i tmerrshëm i pengimit të të vegjëlve të Krishtit, për të cilët Ai tha: «Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t'i varet në qafë një gur mulliri dhe të zhytet në thellësi të detit» (Mt. 18:6).

Siguritë tona janë të panumërta; dyshimet tona, nëse kemi, janë të pakta. Le të ndajmë siguritë tona. Siç tha Gëte: «Më jep dobinë e bindjeve të tua, nëse keni ndonjë, por dyshimet mbaji për vete, pasi kam mjaft të miat».


Nga William MacDonald

Sekreti më i ruajtur i ateizmit

Posted by admin | 9:44 PM | 0 comments »

nga Ray Comfort


Një ateist është dikush i cili beson që asgjëja bëri gjithçka. Sigurisht, ai do ta mohojë këtë, sepse do të vihej përpara një sikleti intelektual, por nëse them që unë nuk besoj që një ndërtues e ndërtoi shtëpinë time, atëherë ngelem marrëzinë e të besuarit që atë e ndërtoi asgjëja. Thjesht ndodhi.


Universiteti «Kornell» beson se asgjëja krijoi gjithçka. Ata thonë: «...hapësira dhe koha filluan që të dyja me Shpërthimin e Madh (Big Bang) dhe prandaj nuk kishte asgjë përpara kësaj»[1]. Scienceline.org tha: «Disa fizikanë besojnë se universi ynë u krijua nga përplasja me një tjetër, por Kaku [një fizikan teorik nga «Universiteti i Qytetit të Nju Jorkut] thotë se ai mund edhe të ketë dalë nga asgjëja...».


Përfytyroni nëse do të thosha që libri im i fundit doli nga asgjëja. Teksti u bashkua në një rend koherent, numrat e faqeve qëlluan sipas rendit numerik, u lidh vetë, kopertina u vizatua vetë dhe më pas doli nga asgjëja titulli: «Ju mund ta drejtoni një ateist tek evidenca, por nuk mund ta bëni të mendojë». Nuk kishte autor, as shtypshkronjë, as botues. Çfarë lloj njeri i çmendur do të mendonit ju se isha unë nëse do të thosha që asgjëja krijoi librin? Atëherë përse dikush duhet t'i besojë sadopak një ateisti? Pra, herën tjetër që ju dëgjoni fjalën «ateist» dhe fjalën «inteligjent» në të njëjtën fjali, ju do të dini më mirë.

Perëndia është i kënaqur me ty!

Posted by admin | 10:34 AM | 0 comments »

...na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij (Ef 1:6)

Studimet tregojnë që në zemrën e çdo fëmije ekziston dëshira për aprovimin e babait. Diçka ndodh kur babai i thotë të birit, "babi krenohet me ty." Ose kur babai i thotë vajzës së tij, "ti do të jesh gjithmonë vajza ime e preferuar."

Një moment të tillë të veçantë të ngjashëm shohim kur Ati Perëndi tregoi aprovimin për Birin e Tij - "Ky është biri im i dashur në të cilin jam i kënaqur." (Mt 3:17) Bibla tregon se Jezusi filloi shërbesën me aprovimin e Atit edhe pse ai s’kishte bërë akoma ndonjë mrekulli.

Ju mund të mendoni se ishte e natyrshme për Atin që të thoshte këto fjalë për Jezusin, kurse për ne ndryshon puna. Miku im, e vërteta është që Jezusi erdhi për ne dhe si ne. Jezusi vdiq për ne dhe si njëri nga ne. Jezusi mori aprovimin e Atit dhe si njëri nga ne. Ai erdhi si përfaqësuesi ynë. Dhe për më tepër Zoti na thotë në Fjalë se në Të jemi "të pranuar në shumë të dashurin"!

Pse thotë Zoti se jemi "të pranuar në shumë të dashurin, Birin e tij" dhe jo thjesht ne jemi "pranuar në Krishtin"? Besoj sepse Ai na rikujton atë ç’ndodhi në lumin Jordan kur Ai tha, "Ky është Biri im i dashur në të cilin jam i kënaqur." Zoti do që të dimë që jemi të dashur nga Ai dhe se ai është i kënaqur me ne.

Zoti na sheh si të dashur për shkak se Ai na ka bërë të pranueshëm në Birin e tij të dashur. Zoti dëshiron që çdo ditë kur ne zgjohemi të dimë se ne jemi të dashur nga ai, me një dashuri pa kushte dhe plotësisht të aprovuar nga ai.

Sa më shumë që e dimë që Zoti na do dhe na konsideron si thesar, aq më tepër do të presim që gjëra të mira të ndodhin në jetën tonë. Ne mund të presim që të jemi të shëndetshëm dhe të plotë. Dhe në vend që të frikësohemi, do të jemi të sigurt që do të fitojmë çdo betejë kur të kuptojmë se jemi objekti i dashurisë së tij.

Kjo është mënyra se si Ati qiellor dëshiron që ne të jetojmë. Fillo pra të jetosh jetën tënde i sigurt se je i dashur nga Perëndia!


Autor: Joseph Prince
Perktheu: Erald Qordja

«...Perëndia që tha se nga errësira duhet të ndriçojë drita [...] ka ndriçuar në zemrat tona për ndriçimin më tej të njohurisë së lavdisë së Perëndisë në fytyrën e Jezus Krishtit» (2 Kor. 4:6, përkthimi i Darbit).


«Perëndia ka ndriçuar [...] për ndriçimin më tej». Këtu ne mësojmë se nuk nuk është qëllimi për ne që të jemi stacione fundore të bekimeve të Perëndisë, por vetëm kanale. Shprehja «Perëndia ka ndriçuar» i referohet kthimit tonë në besim. Ndonëse në krijimin origjinal Ai e urdhëroi dritën që të ndriçonte, në krijimin e ri Ai Vetë ka ndriçuar në zemrat tona.


Por këtë Ai e bëri jo që ne t'i bëjmë kapicë ë mënyrë egoiste dallgët e bekimeve të Tij. Përkundrazi, Ai e bëri këtë që njohuria e lavdisë së Tij në fytyrën e Jezus Krishtit të bëhet e njohur përmes nesh te të tjerët.


Në të njëjtën frymë, Pali foli se si Perëndia kishte «zbuluar në mua Birin e tij, që unë t'ua shpall midis paganëve» (Gal. 1:16). Perëndia zbulon Birin e Tij në ne që ne ta zbulojmë Atë te të tjerët. Kur e vërteta e kësaj m'u bë e qartë para disa vitesh, unë shkrova në fillim të Biblës:


Nëse pamja e vetme që për Të ata mund të kenë
Është çfarë në ty prej Tij ata vërejnë
MekDonald, çfarë shohin ata?


Nuk është për t'u çuditur që Jan Mekfersëni (Ian MacPherson) tha: «Predikimi është diçka madhështore, sublime, mahnitëse – një akt i mbinatyrshëm, transmetimi i një Personi përmes një personi te një grup personash, ku Personi i përçuar kështu është Jezusi i përjetshëm». Këtë ai e ilustroi me një incident që ndodhi kur Mbreti Xhorxh V po fliste në radio dhe fjalët e tij po transmetoheshin në Amerikë. Një kabllo i rëndësishëm u këput në stacionin e Nju Jorkut, duke e futur stafin në panik. «Pastaj Harold Vivieni, një mekanik i ri e kuptoi në moment se çfarë të bënte. Duke kapur fundet e telit të këputur, ai i mbajti të bashkuar, fort dhe me guxim, ndërsa rryma që përçonte mesazhin mbretëror u transmetua. Shkarkime elektrike prej dyqind e pesëdhjetë voltësh shkundën trupin e tij, duke e dredhur nga koka te këmbët dhe duke i shkaktuar dhimbje të konsiderueshme. Por ai nuk e zbuti shtrëngimin. Me vendosmëri dhe dëshpërim, ai u kap pas kabllos, derisa njerëzit dëgjuan mbretin».


Kanale vetëm, Zoti i bekuar,
që me gjithë hirin tënd,
nëpërmjet nesh Ti të rrjedhësh
në çdo çast dhe në çdo vend.


Nga William MacDonald

Ne nuk duhet të harrojmë kurrë që ungjilli është lajmi i mirë i lavdisë së Krishtit. Vërtet, ai ka të bëjë me Atë që u kryqëzua dhe që u varros. Por Ai nuk është më mbi kryq, nuk është më në varr. Ai është ringjallur, është ngjitur në qiell dhe është Njeriu i lavdëruar në të djathtën e Perëndisë.


Ne nuk e paraqesim Atë si Karpentierin e përulur të Nazaretit, si Shërbëtorin e përvuajtur apo të Panjohurin e Galilesë. As nuk e paraqesim Atë si njeriun e mirë si femër të artit fetar modern.


Ne predikojmë Zotin e jetës dhe lavdisë. Ai është i Vetmi të cilin Perëndia e ka lartësuar madhërisht dhe i ka dhënë një Emër që është përmbi çdo emër. Në Emrin e Tij çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do ta rrëfejë Atë Zot për lavdi të Perëndisë Atë. Ai është kurorëzuar me lavdi dhe nder, një Princ dhe një Shpëtimtar.


Shumë shpesh ne e çnderojmë Atë me mesazhin që predikojmë. Ne lartësojmë njeriun me talentet që ka dhe krijojmë përshtypjen që Perëndia do të ishte fatlum që të kishte një njeri të tillë për t'i shërbyer. Ne lëmë përshtypjen sikur njeriu është duke i bërë një favor kolosal Zotit ngaqë beson në Të. Ky nuk është ungjilli që apostujt predikuan. Ata thanë, në fakt: «Ju jeni vrasësit fajtorë të Zotit Jezus Krisht. Ju e zutë dhe me duar të padrejta e ngulët në një dru. Por Perëndia e ka ringjallur nga të vdekurit dhe e ka lartësuar Atë në të djathtën e vet në qiell. Duart e Tij me shenja nga gozhdët mbajnë skeptrin e sundimit universal. Ai po vjen përsëri për të gjykuar botën me drejtësi. Dhe ju bëni mirë TË PENDOHENI dhe të ktheheni tek Ai me BESIM. Nuk ka rrugë tjetër për shpëtimin. Nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell, që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi».


Oh, për një vegim të freskët të Njeriut në lavdi! Dhe për një gjuhë që të shpall lavditë e panumërta që kurorëzojnë ballin e Tij! Sigurisht atëherë, si në ditën e Rrëshajave, mëkatarët do të dridhen përpara Tij dhe do të bërtasin: «Burra dhe vëllezër, ç'duhet të bëjmë?».


Nga William MacDonald

Njeriu thotë VS. Perëndia thotë

Posted by admin | 8:03 PM | 0 comments »

NJERIU THOTE: «A doni një kompensim njëqind fish të parave tuaja? Jep dhe lëre Perëndinë të ta kthej shumëfish. Investo shumë te Perëndia; kompensimi është tronditës, [...] Çdo njeri që investon në Ungjillin ka të drejtën të presë kompensim tronditës prej njëqind fish» (Kenneth Copeland, Ligji i prosperitetit, fq. 67).


PERENDIA THOTE: «Në qoftë se dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezus Krisht dhe doktrinën sipas perëndishmërisë, ai mbahet me të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit në fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija, debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre. Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi sjellë asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete» (1 Timoteut 6:3-8).

Fric Krajsleri (Fritz Kreisler), një nga violinistët më të mëdhenj në botë, tha: «Unë kam lindur me muzikë në sistemin tim. I njihja notat muzikore nga instinkti përpara se të mësoja ABC-në. Ishte një dhuratë e Providencës. Unë nuk e kam fituar atë. Kështu që nuk meritoj as falënderime për muzikën.... Muzika është tepër e shenjtë që të shitet. Dhe çmimet tepër të larta që kërkojnë personalitetet muzikore sot është vërtet një krim kundër shoqërisë».

Këto janë fjalë që cilido në shërbesën e krishterë mund t'i vërë në zemër. Shërbesa e krishterë është një shërbesë e dhënies, jo e marrjes. Pyetja nuk është: «Çfarë ka për mua në gjithë këtë?», por më tepër «Si mund ta ndaj mesazhin më së miri te sa më shumë njerëz?» Në shërbesën e Krishtit, është shumë herë më mirë që gjërat të kushtojnë në vend që ato të paguajnë.

Është e vërtetë që «Punëtori e meriton shpërblimin e vet» (Luka 10:7) dhe që «Ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë» (1 Kor. 9:14). Por kjo nuk e justifikon [veprimin] që dikush të caktojë një çmim për dhuntinë e tij. Kjo nuk justifikon që dikush të kërkojë pagesa tepër të larta për përdorimin e himneve. Kjo nuk justifikon tarifa zhvatjeje për organizime fjalimi apo këndimi.

Simon magjistari donte të blinte fuqinë e dhënies së Frymës së Shenjtë te të tjerët (Vep. 8:19). Nuk ka dyshim që ai e pa këtë si një mënyrë për të fituar para për veten. Me këtë veprim të tij, ai i dha emrin e tij gjuhës sone (ang. Simony) për të përshkruar blerjen ose shitjen e privilegjeve fetare. Nuk është aspak zmadhim të themi që bota fetare sot është plot me simoni.

Nëse dollari do të hiqej disi nga e ashtuquajtura punë e krishterë, një pjesë e madhe e saj do të ndalonte menjëherë. Por do të mbeten ende shërbëtorë besnikë të Zotit që do të vazhdojnë derisa të shpenzohet edhe grami i fundit i forcës së tyre.

Ne kemi marrë falas; ne duhet të japim falas. Sa më shumë që japim, aq më i gjerë është bekimi dhe aq më i madh është shpërblimi – një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur dhe gufuese.


Nga William MacDonald

Pothuaj në jetën e çdo njeriu ka gjëra që personi nuk do t'i kishte zgjedhur kurrë, nga të cilat do që të çlirohet, por që nuk mund të ndryshohen kurrë. Kemi rastin e dëmtimeve apo anomalive fizike. Ose mund të jetë një sëmundje kronike, e keqe që nuk na lë rehat. Dhe përsëri mund të jetë një çrregullim nervor apo emocional që vjen te ne si një mik i paftuar.


Kështu shumë njerëz jetojnë jetë të rrëzuara, duke ëndërruar se si do të kishte qenë nëse vetëm. Nëse vetëm do të ishin më të gjatë. Nëse vetëm do të ishin më të pashëm. Nëse vetëm do të kishin lindur në një familje, racë (komb) apo gjini tjetër. Nëse vetëm do të ishin me një fizik të tillë për të shkëlqyer në atletikë. Nëse vetëm do të kishin shëndet të përsosur.


Mësimi që duhet të mësojnë këta njerëz është se ka paqe në pranimin e asaj që nuk mund të ndryshohet. Ajo që jemi, ne jemi nga hiri i Perëndisë. Ai i ka planifikuar jetët tona me një dashuri të pafund dhe urtësi të pafund. Nëse do të shihnim aq mirë sa Ai, do t'i kishin organizuar gjërat pikërisht siç ka bërë Ati. Prandaj duhet të jemi në gjende të themi: «Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty».


Por ka edhe një hap më tej. Ne nuk duhet t'i pranojmë këto gjëra me një frymë dëshpërimi të butë. Duke e ditur që këto janë lejuar nga Perëndia i dashurisë, ne mund t'i bëjmë ato shkak lavdërimi dhe gëzimi. Pali u lut tri herë që t'i hiqej gjembi në mish. Kur Zoti i premtoi hir për ta duruar gjembin, apostulli shpalli: «Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë» (2 Kor. 12:9).


Është një nga shenjat e pjekurisë frymërore kur ne gëzohemi në rrethanat e pafavorshme në dukje në jetë dhe i përdorim ato si mënyra për të lavdëruar Perëndinë. Fani Krosbi (Fanny Crosby) e mësoi këtë mësim herët në jetë. Kur ajo ishte vetëm tetë vjeç, poetja e verbër shkroi:


Oh, çfarë fëmije i lumtur që jam
edhe pse s'mund të shoh!
Jam e vendosur që në këtë botë
e kënaqur do të jem.


Sa shumë bekime që gëzoj
që njerëzit e tjerë jo!
Pra, qaj a pëshpërit që jam e verbër
unë s'mundem, as nuk dua!


Nga William MacDonald

Ne nuk duhet ta shohim dashurinë si një emocion të papërmbajtur dhe të paparashikuar. Ne jemi urdhëruar për të dashur dhe kjo do të ishte mjaft e pamundur nëse dashuria do të ishte ndonjë ndjenjë e pakapshme dhe sporadike, që vjen në një mënyrë po aq të papërgjegjshme si një ftohje e zakonshme. Dashuria i përfshin emocionet, por ajo është më tepër një çështje e vullnetit se e emocioneve.


Ne duhet të ruhemi edhe nga nocioni që dashuria kufizohet te një botë e ëndrrave me kështjella, pa asnjë lidhje me thelbin e jetës së përditshme. Për çdo orë të dritë së hënës dhe trëndafilave, ka javë për pastrimin e dyshemesë dhe larjen e enëve.


Me fjalë të tjera, dashuria është tepër praktike. Për shembull, kur një pjatë me banane kalohet gjatë ngrënies dhe njëra nga bananet ka pika të zeza, dashuria merr atë banane. Dashuria pastron lavamanin dhe vaskën pas përdorimit. Dashuria rivendos letër higjienike kur ka mbaruar, që tjetri të mos gjendet në rrethana të papërshtatshme. Dashuria i fik dritat kur nuk janë në përdorim. Ajo e merr facoletën e zhubrosur, në vend që ta shkel me këmbë. Ajo e rimbush makinën e marrë hua me karburant dhe vaj pas përdorimit. Dashuria i hedh mbeturinat pa ia kërkuar dikush. Ajo nuk i lë njerëzit që të presin. Ajo u shërben të tjerëve përpara vetes. Ajo e largon fëmijën e zhurmshëm që të mos shqetësojë takimin. Dashuria flet me zë të lartë që i shurdhri të dëgjojë. Dhe dashuria punon që të sigurojë mënyrat për të ndarë me të tjerët.


Dashuria ka një palë në rrobën e saj
që zgjatet deri në pluhur –
ajo mund të prek njollat e rrugëve dhe rrugicave,
dhe nga që mundet, ajo duhet ta bëjë.


Ajo nuk guxon të pushoj mbi mal;
ajo duhet të zbresë poshtë në luginë;
pasi nuk mund të gjejë plotësinë e mendjes
derisa të ketë ndezur jetët që dështojnë.


Nga William MacDonald

Fuqia e ringjalljes së Tij

Posted by admin | 8:57 AM | 0 comments »

Lutja e Palit për besimtarët efesianë është shumë specifike. Ai i kërkon Perëndisë që t'u jap atyre një njohje dhe kuptim më të thellë të Krishtit, që edhe ne bëjmë mirë ta kërkojmë për veten tonë. Kjo nuk është diçka që dikush mund ta mësojë në një seminar apo madje edhe në një studim të Biblës ose përmes leximit të librave devocional. Dëshira e Palit për ta ishte që të merrnin me dëshirë nga Perëndia «frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohjen e Krishtit» (Efe. 1:17-23).

Në mënyrë specifike, Pali lutet që ata do të njohin «madhështinë e jashtëzakonshme» të fuqisë që Perëndia dëshironte që të shfaqnin në jetët e tyre. Shpjegimi që ai i bën kësaj fuqie është tepër udhëzues. Pali na tregon për këtë në Filipianëve 3. Ishte, në fakt, ajo që ai dëshironte kaq shumë për veten. Ai e quajti atë «fuqia e ringjalljes së tij» dhe shpalli: «[Oh] që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t'ia arrij ringjalljes prej së vdekurish. Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezus Krishti».

A ishte Pali i pasigurt për shpëtimin e tij, i shqetësuar se mund të mos kualifikohej për ringjalljen e besimtarëve në rrëmbimin [e kishës]? Vështirë! Ai po na thotë që ringjallja e Krishtit nuk është vetëm një ngjarje historike ku hedhim vështrimin mbrapa me kënaqësi dhe gëzim. Ajo është ngjarja më e madhe në historinë (e kaluar, e tashme apo e ardhme) e tërë kozmosit!

Ngjarja më e madhe që universi do të shoh ndonjëherë është edhe një nga më të vështirat për t'u kuptuar. Ne e përmendim atë kaq rastësisht, por këtu është nyja ku varet gjithë historia dhe ku ajo ndahet përgjithmonë. Ndarja e kohës duhet të jetë jo vetëm PK (Përpara Krishtit) dhe MK (Mbas Krishtit); duhet të jetë PR (Përpara Ringjalljes) dhe MR (Mbas Ringjalljes).

Me teleskopë modernë dhe siç duket mjetet për të hetuar më larg se kurrë hapësirën, fjalët e Davidit nga Psalmi 19 marrin një kuptim më të thellë: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë...». Krijimi është shprehja më e madhe e dukshme e fuqisë dhe ne përkulemi me habi dhe adhurim kur mendojmë për Perëndinë e pafund përtej gjithçkaje që mund të shohim. Por Pali thotë që kjo nuk nuk është asgjë në krahasim me fuqinë e shfaqur në ringjalljen e Jezus Krishtit dhe kjo është fuqia e madhe që Pali dëshironte që të përjetohej nga efesianët në jetët e tyre të përditshme.

Në fakt, Pali na tregon se ringjallja është shfaqja më e madhe e fuqisë së Perëndisë që është shfaqur ndonjëherë, që as nuk mund të kalohet ndonjëherë. Ne duhet të kuptojmë se përse është kështu dhe përse u lut Pali në këtë mënyrë. Në fund të fundit, «Në [Krishtin] ishte jeta» (Gjo. 1:4). Jezusi tha: «Unë kam pushtet [fuqi] (dunamis) ta lë [jetën time] dhe [...] ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati» (Gjo. 10:18). Atëherë përse u desh një fuqi e tillë për ta ngritur Krishtin prej së vdekurish?

Gjatë jetës së Tij në tokë dhe përpara ringjalljes së Tij, Krishti kishte ngjallur shumë nga të vdekurit. Këta të ringjallur, si Llazari (Gjo. 11:1-43) dhe e veja e Nainit (Lu. 7:11-16), vdiqën përsëri pas disa ditësh apo vjetësh, për të pritur ringjalljen e gjithë besimtarëve në rrëmbimin [e kishës].

Si ka mundësi që Dhënësi i jetës, përmes të cili u krijuan të gjitha gjërat (Gjo. 1:3), të vritet? Këtu ne kemi një kontradiktë në dukje. Krishti vetë tha: «Askush nuk mund të ma heqë jetën [...] unë e lë nga vetvetja» (Gjo. 10:18). Megjithëkëtë, Pjetri i akuzon judenjtë që e kanë vrarë Jezusin: të cilin «ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë» (Vep. 2:23). Duke iu drejtuar këshillit të rabinëve, Stefani përdor një gjuhë edhe më të fortë: «për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës» (Vep. 7:52).

Përgjigja ndaj pyetjes se përse u desh fuqia më e madhe e shfaqur ndonjëherë për ta ngritur Krishtin prej së vdekurish mund të gjendet vetëm në lidhje me vdekjen që Ai pati.

Perëndia kishte deklaruar që dënimi për mëkatin është vdekja, që është ndarje e përjetshme nga Ai. A nuk është kjo disi e vrazhdë? Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti parajsë nga Krijuesi i tyre, që i kishte vendosur atje, për kundërvajtjen e vogël në dukje të ngrënies të një fruti. Si mund të meritojë kjo ndëshkim të përjetshëm?

Ne kemi një pikëpamje aq të shkujdesur për mëkatin, që vështrojmë vetëm aktin dhe harrojmë se kundër kujt u krye akti. Mëkati i Adamit dhe Evës nuk ishte thjesht ngrënia e frutit të ndaluar. Por ishte një kundërshtim i hapur ndaj Atij që i kishte krijuar ata dhe tërë universin. Nga pikëpamja tonë, mëkati i Davidit, kurorëshkelje, vrasje dhe gënjeshtër, ishte shumë më tepër i dënueshëm. Por Davidi e dinte se çfarë ishte mëkati: «Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu» (Psa. 51:4).

Në thelbin e tij, mëkati është tradhti e paramenduar, rebelim i hapur dhe sfidues kundër Krijuesit dhe Sunduesit të universit. Ne duhet të kujtojmë këtë fakt. Shumë të krishterë të cilët, kur binden nga ndërgjegjja, ulin kokën dhe i rrëfejnë mëkatet e tyre, nuk janë, në fakt, duke rrëfyer tmerrin e asaj që kanë bërë. Nuk mjafton që të pendohesh për veprën e kryer. Ne duhet të rrëfejmë edhe që, pavarësisht se sa të vogël e mendojmë veprimin, kemi përsëritur tradhtinë e Adamit dhe të Evës kundër Zotit Perëndi. Pa këtë pranim të ndierë thellë si një bindje në zemrat tona, rrëfimi është i paplotë.

Tani ne fillojmë të kuptojmë se përse u desh «madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së Perëndisë» për të ngritur Krishtin prej së vdekurish. Autori i himnit e thotë shumë bukur: «Ishte barra e madhe e mëkateve tona që të çoi Ty, Zot i jetës, brenda në varr». Çfarë do të thotë kjo? Si mund të vendoseshin mëkatet tona mbi Krishtin e pamëkatë? Sigurisht që kjo nuk u krye nga dënimi që Pilati i bëri Krishtit, as nga fshikullimat dhe gozhdimi në një kryq nga ushtarë të pafe romakë. Megjithëkëtë, pikërisht kjo përshkruhet nga filmi jobiblik «Pasioni i Krishtit» - dhe që u lavdërua nga mijëra ungjillorë, duke përfshirë qindra udhëheqës.

Ajo që ndodhi me të vërtetë në kryq jo vetëm që nuk mund të përshkruhet në një film, por përmes procesit të fshirjes nuk u pranua. Isaia shkroi: «I pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante: kur ti ta ofrosh shpirtin e tij si flijim për mëkatin» (Isa. 53:10). Është qartë, pra, se ajo që njerëzit i bënë Krishti nuk kishte pjesë fare në rrahjen që Zoti i bëri Atij dhe ofrimin e shpirtit të Tij si një sakrificë për mëkatin. Ka një dimension moral dhe frymëror për mëkatin që Krishti duhet të duronte për çdo individ që askush tjetër nuk mund ta bënte.

Shpëtimtari ynë jo vetëm që duhet të ishte krejtësisht i pamëkatë që të paguante për mëkatet e të tjerëve, por Ai duhej të ishte i pafund. Askush tjetër veç Perëndisë nuk do të mund të kryente një përmbushje të drejtësisë. Por dënimi ishte shpallur kundër njerëzimit. Kështu, Perëndia, edhe pse i pafund, nuk mund ta paguante atë dënim, veçse, pa ndaluar së qeni Perëndi, të bëhej plotësisht njeri. Kjo është edhe arsyeja e të vetmes lindje virgjërore.

Ateistët ankohen duke thënë që do të ishte e padrejtë që një palë e pafajshme të paguante dënimin për fajtorin. Kjo do të ishte e vërtetë, nëse nuk do të kishim një dimension tjetër të kryqit. Për ata që besojnë, Perëndia e konsideron vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit si të ishte për ta. Ndodh një transformim i brendshëm dhe i mrekullueshëm, që Krishti e premtoi dhe që e quan si të jesh «i lindur sërish» (Gjo. 3:3-16). Kjo nuk është një klishe, por realitet.

Pilati nuk mund ta ketë ditur se çfarë po thoshte kur ia paraqiti Krishtin turmës ulëritëse: «Ja njeriu!» Ky ishte njeriu ashtu si Perëndia synonte që të ishte. Pali e quajti Atë «njeriu i dytë» dhe gjithashtu «Adami i fundit» (1 Kor. 15:45, 47). Me fjalë të tjera, nga Adami, që u krijua rishtas nga dora e Perëndisë në kopsht, te Jezusi, Adami i fundit, që u formua rishtas në barkun e një virgjëreshe, nuk kishte asnjë për të cilin të mund të thuhej: «Ja njeriu si Perëndia synonte që të ishte».

«Barra e madhe e mëkateve», që do ta kishte mbajtur njerëzimin në liqenin e zjarrit përgjithmonë, mund të durohej plotësisht nga i Vetmi i pafund mbi kryqin, ku Ai qëndroi midis Perëndisë dhe Njeriut. Nëse Drejtësia e Pafund nuk do të ishte plotësuar përmes pagesës së plotë të Krishtit për mëkatet tona, Ai nuk do të mund të kishte dalë nga ai varr.

Dënimi për mëkatin është dëbim i përjetshëm nga prania e Perëndisë dhe nga tërë universi i Tij në liqenin e zjarrit. Kjo është ajo çfarë meriton tradhtia e lartë kundër Krijuesit në gjyqin e Tij. Një nga tmerret më të mëdha të liqenit të zjarrit do të jetë fakti që edhe në atë vend mundimesh, këta urryes të Perëndisë nuk kanë nga t'i largohen Atij. Ai është atje në ndërgjegjen e të dënuarve, ndërgjegje që nuk do të gjejnë më ndonjë justifikim mbrapa të cilit të fshihen. Nuk do të mund t'i largohen të vërtetës që refuzuan dhe kjo do t'i ndjekë nga pas përjetësisht. Davidi tha: «Në rast se e shtrij shtratin tim në sheol (ferr), ti je edhe aty» (Psa. 139:8).

Është e pamundur që një qenie e fundme të paguaj dënimin e pafund që kërkon drejtësia e pafund e Perëndisë. Asnjë njeri që përpiqet për të paguar për mëkatet e tij nuk mund të thotë në fund, siç shpalli me fitore Krishti në kryq: «U krye! Borxhi është paguar». Por dënimi duhet të paguhet plotësisht. Nëse jo, si mund të hapen portat e burgut të drejtësisë?

Në Librin e Jobit na jepet një ide për vetë luftën e vërtetë midis Satanit dhe Perëndisë për kozmosin. «Një ditë ndodh që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satani» (Job. 1:6). Në këtë raport të habitshëm, na jepet një mendim mbi atë se çfarë përfshihet në këtë betejë midis Perëndisë dhe Satanit. Ky është një konflikt i përmasave kozmike për kontrollin e universit dhe njeriu është çmimi që kërkojnë të dyja anët. Kjo është është një betejë reale për zemrën dhe ndjenjat e njeriut. Nuk ka asnjë garanci që Perëndia do të triumfojë në çdo rast individual. Me dhuratën e vullnetit të lirë, çdo njeri ka një zgjedhje individuale për të bërë se me kë anë do të bashkohet në këtë betejë.

Të krishterët kanë një rol thelbësor për të luajtur në disfatën përfundimtare të Satanit: «Ata e fituan (mundën) [gjarprin e lashtë, djallin – Zbu. 12:9] me anë të gjakut të Qengjit; dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje» (Zbu. 12:11). Me dashurinë e Krishtit në zemrat tona, ne ndjekim shembullin që vetë Krishti la për ne: «I Cili, kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht» (1 Pje. 2:21-25).

Satani vazhdon të hyjë me guxim në praninë e Perëndisë, siç bëri në kohën e Jobit. Si e dimë? Ai vazhdon të padit vëllezërit përpara fronit të Perëndisë ditë e natë dhe këtë do ta bëjë deri në fund (Zbu. 12:10). Siç e kemi thënë më parë (dhe që vazhdon të përsëritet), Satani është si një president i dështuar. Ai mund të ecë ende nëpër rrugët e pushtetit pa u kundërshtuar dhe të zotërojë një ndikim të konsiderueshëm mbrapa skenës. Ai nuk është hedhur ende nga qielli, por ajo ditë po vjen shpejt:

Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan, por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell. Kështu dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij. (12:7-9)

Si do të hidhet Satani përfundimisht? Një himn i vjetër e shpreh qartë dhe bukur atë që përshkruan shkrimi: «Në dobësi si disfatë, Ai fitoi kurorën e fitimtarit; i shkeli tërë armiqtë tanë duke u shkelur vetë. Ai fuqinë e Satanit përuli; i bërë mëkat, Ai mëkatin rrëzoi. Iu përkul varrit, kështu e shkatërroi, dhe vdekjen, duke vdekur, vrau».

Satani nuk mund të kuptoj se si Krishti, përmes butësisë dhe dobësisë në dukje, mund të triumfoj mbi të. Çdo gjë rreth kryqit e pështjellon atë. Në fillim ai e frymëzoi Pjetrin që ta pengonte Krishtin nga vajtja në kryq: «O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë» (Mt. 16:21-22). Ne e dimë që Satani e frymëzoi Pjetrin nga përgjigjja e Krishtit: «Shporru prej meje, o Satan!» Më pas ai frymëzoi Judën që ta tradhtonte Jezusin te rabinët, që ata ta kryqëzonin: «Satani hyri në të [Judën]» (Gjo. 13:27). Satani nuk e kupton edhe sot e kësaj dite.

Sipas mendimit tim, Satani mendon vërtet që mund të jetë fituesi përfundimtar në këtë betejë për zemrat dhe mendjet e njerëzimit. Dhe përse jo? Ai ofron ato gjëra për të cilat ka trajnuar lakminë dhe epshin e njeriut që të dëshirojë: pasuri, zotërime, kënaqësi hedoniste, seks, popullaritet, famë, droga dhe alkool me shumicë dhe shijimin e çdo dëshire epshore. Megjithatë, turma njerëzish vendosin të ndjekin Krishtin, edhe pse Ai ofron urrejtje dhe refuzim nga bota, me përndjekje dhe vuajtje – por përjetësi në praninë e Tij, ku ka lumturi të vërtetë: «Ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi» (Psalmi 16:11).

Po për sa i përket atyre që bëjnë zgjedhjen e gabuar dhe zgjedhin të bashkohen me Satanin duke kryer tradhti? Perëndia nuk kënaqet me vdekjen [dënimin] e të pabesit (Eze. 33:11), por dënimi i secilit duhet të përshtatet me krimin. Kur një njeri lexon atë që udhëheqësit ateistë thonë për Perëndinë, ata do ta shkulnin Atë nga froni po të ishin në gjendje. Ata e urrejnë Perëndinë. Është e qartë se mundimi i përjetshëm në liqenin e zjarrit për tradhtinë e kryer do të jetë, të paktën, korrja e asaj që ata kanë mbjellë.

Mendoni pak për [citimin] më poshtë nga Riçard Daukins [Richard Dawkins], udhëheqës i lëvizjes «Ateisti i Ri», në një debat me Xhon Lenoks [John Lennox], një i krishterë i zjarrtë, gjithashtu një profesor dhe shkencëtar në Oksford me dy doktorata të fituara, i cili në fjalët mbyllëse dëshmoi për besimin e tij në Krishtin dhe për ringjalljen e Zotit tonë: «Po, ja, kjo grimë mbyllëse», tha Daukinsi, me buzët të mbledhura me përbuzje, me zërin që pikonte helm, «disi e fal lojën, apo jo? Gjithë ato gjëra rreth shkencës dhe fizikës [...] që janë tepër të mëdha dhe të mrekullueshme, dhe pastaj befas ulemi tek ringjallja e Jezusit. Është kaq për të ardhur keq, është kaq e parëndësishme, është kaq lokale, është kaq e lidhur me këtë tokë, është kaq e padenjë për universin».

Por Perëndia e quan ringjalljen shfaqjen më të madhe që mund të njihet ndonjëherë të madhështisë dhe fuqisë së Tij. Sa për të ardhur keq është ky shfrim sarkastik nga Daukinsi! Ky pagan, i cili në mënyrë të qartë adhuron krijimin në vend të Krijuesit të tij (Rom. 1:21-23), nuk është në vete. Kjo shprehje e urrejtjes së tij për Perëndinë do ta tall atë përjetësisht (Fja. 1:20-33), ndërsa qielli do të kumbojë me këngën e përjetshme dhe njëkohësisht të re të lavdërimit për Perëndinë dhe Qengjin: «I denjë është Qengji i therur, të marrë fuqi, dhe pasuri, dhe urtësi, dhe forcë, dhe nder, dhe lavdi, dhe bekim».

Ka shumë raste për të cilat dikush mund të shqetësohet – mundësia e një kanceri, shqetësimet e zemrës apo një mori sëmundjesh të tjera; ushqime që mendohet të jenë të dëmshme, vdekje aksidentale, marrja e pushtetit nga komunistët, luftë bërthamore, inflacion jashtë kontrollit, të ardhme të pasigurt, perspektiva e zymtë e rritjes së fëmijëve në një botë si kjo. Mundësitë janë të panumërta.

Dhe prapë na thuhet në Fjalën e Perëndisë: «Mos u shqetësoni për asgjë çfarëdo qoftë». Perëndia dëshiron që të kemi jetë pa shqetësime. Dhe kjo për arsye të mira!

Shqetësimi është i panevojshëm. Zoti është duke u kujdesur për ne. Ai na mban në pëllëmbët e duarve të Tij. Neve nuk mund të ndodh asgjë pa vullnetin e Tij lejues. Ne nuk jemi viktima të rastësisë, aksidenteve apo fatit të verbër. Jetët tona janë planifikuar, caktuar, drejtuar.

Shqetësimi është i kotë. Ai nuk e zgjidh kurrë një problem apo të shmang një krizë. Siç ka thënë dikush: «Meraku nuk i heq të nesërmen dhimbjen e saj; ai vetëm sa ia pret fuqitë ditës së sotme».

Shqetësimi është i dëmshëm. Doktorët janë të një mendimi se shumë prej sëmundjeve të pacientëve të tyre shkaktohen nga shqetësimi, tensioni, nervat. Ulcerat radhiten të parat në listën e sëmundjeve që kanë lidhje me shqetësimin.

Shqetësimi është mëkat. «Ai e dyshon urtësinë e Perëndisë; ai nënkupton se Perëndia nuk e di se çfarë po bën. Ai e dyshon dashurinë e Perëndisë; ai thotë se Perëndia nuk kujdeset. Ai e dyshon fuqinë e Perëndisë; ai thotë se Perëndia nuk është në gjendje që të kapërcejë rrethanat që më bëjnë të shqetësohem».

Shumë shpesh ne krenohemi për shqetësimin tonë. Kur një burrë i bëri vërejtje gruas së tij për shqetësime të vazhdueshme, ajo iu përgjigj: «Nëse nuk shqetësohem, do të jenë të pakta punët e çmuara që bëhen këtej rrotull». Ne nuk do të çlirohemi kurrë nga shqetësimi, derisa ta rrëfejmë si mëkat dhe ta dënojmë krejt. Atëherë mund të themi me siguri:

Nuk kam asgjë çfarë të bëj me të nesërmen,
ajo do të kalojë nën kujdesin e Shpëtimtarit tim;
nëse ai e mbush me probleme me dhimbje,
Ai do të më ndihmojë që të vuaj dhe ta duroj.
Nuk kam asgjë çfarë të bëj me të nesërmen;
barrën e saj, pra, pse duhet ta mbaj?
Hirin dhe forcën e saj s'mund ta mbaj;
atëherë pse duhet të marr shqetësimin e saj?

Nga William MacDonald

Ekziston një tundim i mprehtë, madje dhe në shërbesën e krishterë, që të bëhesh i madh, që dikush ta shoh emrin në revista apo ta dëgjojë në radio. Por ky është një kurth i madh. Kjo i heq lavdi Krishtit. Kjo na heq neve paqen dhe gëzimin. Dhe na bën shënjestra parësore për plumbat e djallit.

Kjo i heq lavdi Krishtit. Siç ka thënë C. H. Mekintosh (C. H. Mackintosh): «Ekziston gjithnjë rreziku më i madh kur shquhet dikush apo vepra e tij. Ai mund të jetë i sigurt se Satani po i arrin objektivat e tij kur vëmendja tërhiqet drejt diçkaje apo dikujt tjetër veç vetë Zotit Jezus. Një vepër mund të filloj në thjeshtësinë më të madhe të mundshme, por nga mungesa e vigjilencës së shenjtë dhe aspektit frymëror nga ana e punëtorit, ai vetë ose rezultati i veprës së tij mund të tërheqë vëmendje të përgjithshme dhe ai mund të të bjerë në kurthin e djallit. Qëllimi i madh dhe pareshtur i Satanit është që të çnderojë Zotin Jezus. Dhe nëse këtë mund ta bëjë nga ajo që duket si shërbesë e krishterë, ai i ka arritur të gjitha fitoret e mëdha për këtë kohë». Edhe Deni (Denney) e ka thënë shumë mirë: «Asnjë njeri nuk mund të provojë njëkohësisht që ai është i madh dhe që Krishti është i mrekullueshëm».

Ne i heqim vetvetes në këtë drejtim. Dikush tha: «Nuk njoha kurrë paqe dhe gëzim të vërtetë në shërbesë, derisa pushova së përpjekuri për të qenë i madh».

Dhe dëshira për t'u bërë të mëdhenj na bën të pambrojtur nga sulmet e Satanit. Rënia e një personaliteti të mirënjohur i sjell trup më të madh kauzës së Krishtit.

Gjon Pagëzori hoqi dorë pareshtur mbi çdo pretendim për madhështi. Motoja e tij ishte: «Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem».

Gjithashtu edhe ne duhet të ulemi në vendin më të ulët, derisa Zoti të na thërrasë për të shkuar më lart. Një lutje e mirë për secilin për ne është: «Më mbaj të vogël e të panjohur, të dashur dhe të vlerësuar vetëm nga Krishti».

Nazareti ishte një vend i vogël -
dhe kështu ishte edhe Galileja.

Nga William MacDonald

Ungjilli civil?

Posted by admin | 7:34 AM | 0 comments »

A e kanë humbur ungjillorët amerikanë besimin e tyre në ungjillin e Biblës për të ndryshuar jetën – dhe shoqërinë?

D. Xhejms Kenedi (James Kennedy) i kishës presbiteriane (Coral Ridges Presbyterian Church) në Fort Lauderdale, Florida, njihet më së miri si iniciatori i metodës «Shpërthim Ungjillëzimi” (Evangelism Explosion), për të arritur komunitetet me ungjillin. Por sot ai është duke ngritur një flamur tjetër.

Cituar në një numër nga «Shtypi i Bashkuar” (AP), Kenedi thotë: «Nuk ka asgjë më të fuqishme se një ide koha e së cilës ka ardhur dhe ideja e rimarrjes së Amerikës për Krishtit pa dyshim që ka ardhur».

Një konferencë një javore në kishën e tij afroi kohët e fundit 1.400 aktivistë, të cilët i shpallën besnikëri jo vetëm flamurit të krishterë dhe Biblës, por edhe flamurit amerikan. Për shumë ungjillorë, aktiviteti politik është një mandat. Nuk është për t' u çuditur që konferenca titullohej «Rimarrja e Amerikës për Krishtin».

Katër supozimet janë: që dikur Amerika i përkiste Krishtit, që tani i është marrë, Ai e do përsëri dhe është puna jonë që këtë ta bëjmë përmes veprimit politik.

«Ju mund të thoni se ideja e re dhe e nxehtë është ungjilli civil», citohet duke thënë Xhon Grin (John Green), një shkencëtar mbi politikën në universitetin e Akronit në Ohajo. «Të krishterët kanë një përgjegjësi të veçantë për të krijuar një rend civil që ushqen jetë morale».

Në fillim të shkurtit, në një konferencë nga «Këshilli për politikën kombëtare» në Foeniks (Phoenix), Xhejms Dobson (James Dobson), prezantuesi i programit radiofonik «Fokus në familje», që ka pesë milion dëgjues, i dha një goditje paralajmërimi harkut të partisë republikane kur bëri pyetjen: «Çfarë të mire ka të kesh pushtet nëse nuk e përdor për të mirën?» Më pas ai i paralajmëroi republikanët se ata duhet t'i marrin seriozisht të drejtat fetare ose do ta shohin atë të hidhet nga anija – dhe se ai do të përpiqet të bind dëgjuesit e tij për imitojnë atë.

David Brigs (David Briggs), një reporter nga «Shtypi i Bashkuar» thotë: «Në fakt ideja [e një ungjilli civil] është një kthesë konservatore e një tradite më të vjetër. Në fillim të këtij shekulli, ungjillorë liberalë, të tronditur nga teprimet e kapitalizmit, nxitën lëvizjen e «ungjillit social», duke e zhvendosur përqendrimin fetar nga kisha në rrugë, duke vendosur një traditë për luftën e të drejtave të civile».

«Ungjilli» social bëri më shumë se kaq. Në një përpjekje për të patur një përfshirje më të gjerë në shoqëri, lëvizja e këmbeu fuqinë e ungjillit për popullaritet dhe politikë. Ata ia dolën mbanë. Aktivizmi i krishterë nuk ka qenë kurrë më i përhapur – as më i pafuqi – se sot. Është vënë re se në kohën e Jezusit udhëheqësit e urryen dhe njerëzit e zakonshëm e dëgjuan me gëzim. Sot politikanët ledhatojnë favorin e të drejtave fetare, por njerëzit e zakonshëm i shohin ungjillorët si fanatikë dhe nxitës të urrejtjes. Katedra e predikuesit është këmbyer me platformën politike dhe thirrja qiellore ka humbur në kërkim të pushtetit të kësaj bote.

Nëse dikur Krishti e drejtonte Amerikën përmes kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, a ishin besimtarët atëherë shtegtarë apo qytetarë në tokë? Dhe nëse Kenedi, Dobsoni dhe ndjekësit e tyre t'ia dilnin mbanë për të rimarrë Amerikën për Krishtin, do të bënim pazar midis të qenit të huaj dhe të qenit qytetarë?

Vetë Perëndia e bllokoi rrugën për t'u kthyer përsëri në kopshtin e Edenit. Nuk ka qenë kurrë qëllimi i Tij që ne të rimarrim një parajsë tokësore. Ne jemi tani në një pelegrinazh drejt një qyteti të ri, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia. Edhe pse mund t'i duket shumë e çuditshme disa të krishterëve, Zoti dëshiron të shpëtojë demokratët po aq sa dhe republikanët dhe kur ne përqafojmë një «ungjill civil», ne humbin statusin tonë si ambasadorë.

Marrë nga revista «UPLOOK», Maj 1998.

Ka vargje në Bibël që duket se ia atribuojnë Perëndisë veprimet e këqija. Për shembull, kur Abimeleku kishte mbretëruar për tre vjet mbi Izraelin, «Perëndia dërgoi një frymë të keqe midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit» (Gjyq. 9:23). Në ditët e Ahabit, Mikajahu i tha mbretit të lig: «Zoti ka vënë një frymë gënjeshtare në gojën e tërë profetëve të tu» (1 Mbr. 22:23). Jobi ia atribuoi humbjet e tij Zotit kur tha: «Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen» (Job. 2:10). Dhe prapë vetë Zoti thotë në Isaia 45:7: «Unë sjell mirëqenien dhe krijoj fatkeqësinë».

Por ne e dimë që, ngaqë Perëndia është i shenjtë, Ai as nuk mund të krijojë të keqen, as ta kalojë atë anash. Asnjë mëkat, sëmundje, vuajtje apo vdekje nuk vjen nga Zoti. Ai është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë (1 Gjonit 1:5). Është e papërfytyrueshme që Ai të jetë shkaku i gjithçkaje që në kundërshtim me përsosurinë e Tij morale.

Është e qartë nga vargje të tjera që Satani është autori i sëmundjes, vuajtjes, tragjedisë dhe shkatërrimit. Humbjet e Jobit dhe dhimbjet e tij të forta ishin shkaktuar nga djalli. Jezusi tha se gruaja që ishte krejt e kërrusur kishte qenë e lidhur nga Satani prej tetëmbëdhjetë vjetësh (Lu. 13:16). Pali foli për gjembin e tij në mish si «një engjëll i Satanit» (2 Kor. 12:7). Satani është fajtori mbrapa çdo problemi të njerëzimit.

Por, atëherë, si e pajtojmë këtë me ato vargje që e përshkruajnë Perëndinë sikur krijon të keqen? Shpjegimi është thjesht ky: në Bibël thuhet shpesh për Perëndinë se bën atë që, në fakt, Ai lejon që të bëhet. Është dallimi midis vullnetit të Tij tregues dhe vullnetit të Tij lejues. Ai i lejon shpesh njerëzit e Tij që të kalojnë përmes përvojave që Ai nuk do t'i kishte zgjedhur kurrë për ata në radhë të parë. Ai e lejoi Izraelin që të endej për dyzet vjet në shkretëtirë, ndërsa vullneti i Tij tregues, po të ishte pranuar, do t'i kishte çuar në tokën e premtuar përmes një rruge më të shkurtër.

Edhe në rastin e lejimit të së keqes nga demonët dhe njerëzit, Perëndia e ka gjithnjë fjalën e fundit. Ai e mbisundon atë për lavdinë e vet dhe për bekimin e atyre që janë ushtruar nga kjo.

Nga William MacDonald

Pa sigurinë që jep ky varg, do të ishte praktikisht e pamundur për të ecur përpara në jetën e krishterë. Ndërsa rritemi në hir, ne kemi një ndërgjegjësim gjithnjë e në rritje të ligësisë sonë të madhe. Ne duhet të kemi një dispozitë për pastrim të menjëhershëm për mëkatin, përndryshe dënohemi me një ndjenjë të vazhdueshme faji dhe dështimi.

Gjoni na tregon se, për besimtarët, kjo dispozitë është siguruar përmes rrëfimit. Jobesimtari merr falje juridike nga dënimi i mëkateve përmes besimit në Zotin Jezus. Besimtari merr falje atërore nga njollosja e mëkateve përmes rrëfimit.

Mëkati prish përbashkësinë në jetën e fëmijës së Perëndisë dhe kjo përbashkësi mbetet e prishur, derisa mëkati të jetë rrëfyer dhe braktisur. Kur rrëfehemi, Perëndia është besnik ndaj Fjalës së Tij; Ai ka premtuar të na falë. Ai është i drejtë duke na falur, sepse vepra e Krishtit në kryq ka siguruar një bazë të drejtë mbi të cilën Ai mund të veprojë kështu.

Pra, ajo që do të thotë ky varg është se kur i rrëfejmë mëkatet tona, ne mund ta dimë që procesverbali është pastruar, që ne jemi pastruar plotësisht, që ajo fryma e gëzuar familjare është restauruar. Posa të jemi të ndërgjegjshëm për mëkat në jetën tonë, ne mund të shkojmë në praninë e Perëndisë, ta quajmë mëkatin ashtu si e ka emrin, ta hedhim poshtë dhe ta dimë me siguri që ai është larguar.

Por si e dimë me siguri? A ndihemi të falur? Nuk është aspak një çështje ndjenjash. Ne e dimë që jemi falur, sepse kështu thotë Perëndia në Fjalën e Tij. Në rastin më të mirë të tyre ndjenjat janë jo të besueshme. Fjala e Perëndisë është e sigurt.

Por le të supozojmë që dikush thotë: «E di që Perëndia më ka falur, por nuk mund ta fal veten». Kjo mund të tingëllojë shumë fetare, por në fakt është nuk e nderon Perëndinë. Nëse Perëndia më ka falur, atëherë Ai dëshiron që unë ta përvetësoj atë falje me besim, që të gëzohem për të dhe që të shkoj dhe t'i shërbej Atij si një enë e pastruar.

Nga William MacDonald

Liria që ka fëmija i Perëndisë është një nga zotërimet tij tepër të çmuara. I çliruar nga Biri, ai është me të vërtet i lirë. Por ai është thirrur drejt një lirie të përgjegjshme, jo drejt një leje.

Fëmijët duan të jenë të lirë nga kufizimet e shtëpisë. Të rinjtë duan të jenë të lirë nga disiplina e studimit. Të rriturit duan të jenë të lirë nga premtimet martesore. Dhe të tjerët rebelohen kundër kufizimit nga punësimi i rregullt. Por këto nuk janë liritë te të cilat jemi thirrur.

Yjet nuk janë të lirë që të lënë orbitën e tyre dhe të bredhin në në hapësirë. Treni nuk është i lirë që të lërë shinat dhe të gjarpërojë nëpër male. Avioni nuk është i lirë që të lërë kursin e caktuar; siguria e tij varet mbi zbatimin e rregullave nga piloti.

Xhoueti komenton: «Nuk ka një fushë ku të paligjshmit të jenë të lirë. Në çdo drejtim që të shkojmë ne duhet të pranojmë varësinë nëse zbulojmë lirinë. Muzikanti duhet të respektojë ligjet e harmonisë nëse do që të ngazëllejë në botën e tij të dashur. Ndërtuesi duhet ta vendos veten në varësinë e ligjit të gravitetit, përndryshe nuk kemi një shtëpi që ngrihet, por një grumbull rrënojash. Çfarë lloj lirie gëzon ai që i kundërshton vazhdimisht ligjet e shëndetit? Në të gjitha këto fusha, t'i shkelësh ato do të thotë të gjymtohesh, respektimi i tyre do të thotë liri».

Është e vërtetë që besimtari është i lirë nga ligji (Rom. 7:3), por kjo nuk do të thotë që ai është pa ligj. Tani është i lidhur nga ligji i Krishti, i lidhur nga litarët e dashurisë dhe i angazhuar për t'iu bindur urdhërimeve të shumta që gjenden në Dhiatën e Re.

Besimtari është i lirë nga mëkati si padron (Rom. 6:7, 18, 22), por vetëm që të bëhet shërbëtor për Perëndinë dhe për drejtësinë.

Besimtari është i lirë nga të gjithë njerëzit (1 Kor. 9:19) për t'u bërë shërbëtor i të gjithëve, që të mund të fitojë sa më shumë njerëz.

Por ai nuk është i lirë që ta përdorë lirinë e tij si një pretekst për të mbuluar ligësinë (1 Pje. 2:16). Ai nuk është i lirë që t'i shkojë pas qejfit mishit (Gal. 5:13). Ai nuk është i lirë që të pengojë apo të ofendojë dikë tjetër (1 Kor. 8:9). Ai nuk është i lirë që t'i sjellë turp Emrit të Zotit Jezus (Rom. 2:23, 24). Ai nuk është i lirë që të dojë botën (1 Gjonit 2:15-17). Ai nuk është i lirë që të trishtojë Frymën e Shenjtë që banon brenda tij (1 Kor. 6:19).

Njeriu nuk gjen përmbushje apo çlodhje duke bërë sipas kokës së tij. Këtë ai e gjen vetëm duke marrë zgjedhën e Krishtit dhe duke mësuar prej Tij. «Shërbimi ndaj Tij është liri e përsosur»